Granit Dërvisholli do të jetë trajner i ri i skuadrës së Feronikelit.
Dërvisholli, që vlerësohet trajner premtues në futbollin kosovar, do ta pasojë në këtë post trajnerin italian Giovanni Colella.
Feronikeli 74 luan sot nga ora 13:00 ndaj Ballkanit në Suharekë, por në formacionin e postuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, nuk figuron emri i Dërvishollit.
Si drejtues i ekipit do të jetë Fidan Rexhepi.
Edhe Feronikeli 74 nuk ka përmendur nëse ai do të debutojë ndaj Ballkanit.
“Granit Dervisholli merr drejtimin e FC Feronikelit 74. FC Feronikeli 74 ka kënaqësinë të njoftojë se trajneri Granit Dervisholli është emëruar në postin e trajnerit të ekipit të parë. Pas një periudhe të gjatë si trajner dhe ekspert i futbollit, Dervisholli do të udhëheqë skuadrën drejt objektivave ambiciozë dhe synimeve të mëdha në sezonet e ardhshme. Me eksperiencën dhe përkushtimin e tij, Dervisholli sjell një drejtim të ri dhe vizion për zhvillimin dhe rritjen e ekipit, duke siguruar që FC Feronikeli 74 të vazhdojë të luajë futboll cilësor dhe të konkurrojë për pjesën e mbetur të sezonit. Ne i urojmë një fillim të mbarë dhe shumë suksese në këtë rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Feronikeli 74 në Facebook.
Feronikeli 74 është i fundit në tabelë me 10 pikë pas 20 ndeshjeve.