Manchester Unitedi ka fituar të mërkurën mbrëma 3:2 ndaj Ipswich Townit, që po rrëshqet ngadalë drejt kategorisë së dytë të futbollit anglez.
Vendësit fituan me rikthim të rezultatit pasi në minutën e katërt, mysafirët realizuan me Jaden Philogene.
Autogoli i Samy Morsyt në minutën e 22-të dhe goli i Matthijs de Ligtit katër minuta më vonë, kthyen rezultatin 2:1 në të mirë të Unitedit.
Patrick Dorgu i vendësve u ndëshkua me të kuq në minutën e 43-të, ndërsa Philogene shënoi edhe një herë tjetër për 2:2, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.
Golin e fitores Unitedi e shënoi dy minuta pas pushimit, me qendërmbrojtësin tjetër Harry Maguire.
Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ishte në bankën rezervë te mysafirët.
Unitedi ka 33 pikë në vendin e 14-të, kurse Ipswichi dhe Leicesteri me nga 17 pikë, janë në pozitën e 18-të dhe të 19-të.