Vëllai i boksierit të vrarë, Besar Nimani, ka mohuar çdo përfshirje në incidentin e së mërkurës pranë gjykatës së Bielefeldit, ku mbetën të plagosur katër persona.

Në një deklaratë për gazetën gjermane “Bild”, ai theksoi se familja e tij ka jetuar në ankth të vazhdueshëm që nga marsi i vitit të kaluar, kur Besar Nimani u ekzekutua me 16 plumba.

“Një nga personat e përfshirë në vrasjen e vëllait tim është ende i lirë. Ne jetojmë me frikë që nga ajo ditë,” u shpreh ai.

Për vrasjen e Nimanit akuzohen dy persona. Njëri prej tyre, Huseyin Akkurt, u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa i dyshuari tjetër, Aymand Dawoud Kirit, vazhdon të jetë në arrati. Të shtënat e fundit ndodhën pas përfundimit të një seance gjyqësore ndaj Akkurtit në Bielefeld.

Sipas raportimeve, ndër të plagosurit janë babai dhe vëllai i Akkurtit, si dhe dy persona të tjerë, përfshirë një 23-vjeçar në gjendje kritike. Mediat gjermane, si “WDR”, fillimisht raportuan se mund të ketë edhe një viktimë në këtë përplasje të dhunshme.

Avokati i Nimanit, Peter Wuller, ka konfirmuar se klienti i tij e mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje dhe planifikon të dorëzohet së shpejti në polici.

“Kam komunikuar me z. Nimani menjëherë pas incidentit. Ai më ka kërkuar ta përfaqësoj dhe këmbëngul se është i pafajshëm. Sapo të sqarohen rrethanat dhe të kemi një tablo të qartë të ngjarjes, ai do të dorëzohet në polici,” tha Wuller.

Sipas gazetës “Bild”, Berat Nimani nuk ndodhet në Bielefeld por në një qytet tjetër. Policia ka kontrolluar apartamentin e tij, por nuk ka gjetur gjurmë të tij.

Dëshmitarët thonë se kanë parë Nimanin dhe motrën e tij duke u larguar nga vendngjarja me një makinë të zezë. Gjithashtu, pjesëmarrësit në seancën gjyqësore raportuan se ata e braktisën sallën para përfundimit të procesit.