Tifozët e Real Sociedadit kanë brohoritur “vdis” në drejtim të mbrojtësit të Real Madridit, Raul Asencio, gjatë ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit të mërkurën mbrëma.
Kështu shkruhet në raportin e gjyqtarit kryesor të ndeshjes Jose Maria Sanchez Martinez.
Ai e kishte ndërprerë ballafaqimin në minutën e 46-të dhe kishte këruar nga tifozët që t’i ndalnin fyerjet në drejtim të tij.
Sanchez Martinez në raportin e publikuar të enjten në mëngjes kishte shkruar se kapiteni i Real Madridit, Vinicius Junior, e kishte raportuar këtë rast.
Mediat spanjolle të enjten po ashtu kanë publikuar se një tifoz i Sociedadit kishte bërë gjeste të majmunit në drejtim të Viniciusit.
Sulmuesi brazilian shpeshherë ka qenë cak i sulmeve raciste në Spanjë.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e kishte zëvendësuar Asencion me Lucas Vazquezin, pak pasi ndeshja ishte ndërprerë.
“Nuk mendoj se dikujt i pëlqen kur në stadium të thonë të vdesësh”, ka thënë Ancelotti pas ndeshjes, duke e arsyetuar vendimin për zëvendësimin e tij.
Këto thirrje i ka dënuar edhe futbollisti i Sociedadit, Mikel Oyarzabal.
Reali e fitoi ndeshjen 1:0, pas golit të shënuar nga sulmuesi Endrick.
Ndeshja kthyese në “Bernabeu” do të zhvillohet në muajin prill.