Dy skuadrat kryesore që po luftojnë për titull kampioni këtë edicion në elitën e futbollit italian do të takohen këtë fundjavë.

Bëhet fjalë për Napolin dhe Interin që do të ballafaqohen të shtunën nga ora 18:00.

Kjo ndeshje i takon javës së 27-të të Serie A.

Interi është lider me 57 pikë.

Një pikë më pak e ka Napoli që është në vendin e dytë.

Në rast të fitores, Interi do ta rriste diferencën në katër pikë me rivalin më të madh.

Me fitore Napoli do t’ia rrëmbente pozitën e parë skuadrës së drejtuar nga trajneri, Simone Inzaghi.

Napoli është pa fitore në katër ndeshjet e fundit në ligë. Ka një disfatë dhe tri barazime.

Xhiron e kaluar napolitanët u mposhtën nga Como në udhëtim me rezultatin 2:1.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, në atë ndeshje shënoi autogol.

Interi në pesë ndeshjet e fundit në ligë ka dy fitore, dy humbje dhe një barazim.

Interi është i pamposhtur në 13 nga 14 ndeshjet e fundit kundër Napolit në të gjitha garat.

Napolit do t’i mungojë mesfushori Frank Anguissa, ndërsa nga lëndimi i është kthyer mbrojtësi i krahut, Mathias Olivera.

Ndërkohë Interit do t’i mungojnë Matteo Darmian, Carlos Augusto, Nicola Zalewski dhe Yann Sommer.

Të dielën nga ora 20:45 do të luhet derbi tjetër mes Milanit dhe Lazios.

Lazio është në pozitën e pestë me 47 pikë.

Milani ka gjashtë pikë më pak në pozitën e tetë.

“Kuqezinjtë” kanë dy humbje dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Së fundi u eliminuan edhe nga Liga e Kampionëve.

Të dielën nga ora 18:00 luan Roma ndaj Comos. Roma nuk di për humbje në dhjetë ndeshjet e fundit në elitë. Renditet në pozitën e nëntë me 40 pikë.

Como është në vendin e 13-të me 28 pikë.