Dy klubet e qytetit të Gjilanit, Drita dhe Gjilani po përballen me telashe rreth infrastrukturës. Rinovimi i stadiumit në Gjilan është bërë histori.

Por telashet me infrastrukturë nuk kanë qenë pengesë për Dritën e Gjilanin sa i përket organizimit. Janë prej klubeve më të organizuara në Kosovë.

Dy skuadrat gjilanase, në mungesë të stadiumit, ndeshjet si vendëse i zhvillojnë në fushën me bar sintetik, ndonëse u ishte premtuar se shumë shpejt do t’i zhvillonin ndeshjet në stadiumin të qytetit.

Pos të organizuara, Drita e Gjilani aktualisht janë edhe shumë të suksesshme.

Drita është pranë titullit, kurse Gjilani është afër për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane.

Me fitoren 2:0 ndaj Ferizajt të dielën, Drita është forcuar në vendin e parë me 50 pikë, 11 më shumë se kampioni në fuqi, Ballkani, që humbi 3:1 nga Malisheva. Kjo e fundit tani zë vendin e tretë me 37 pikë.

Gjilani, që fitoi ndaj Suharekës 2:1 të shtunën, është vetëm gjashtë pikë larg Malishevës. Zë vendin e katërt me 31 pikë.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, thur lavde për drejtuesit e klubit dhe lojtarët e tij.

“Ishte një ndeshje e dominuar nga ana jonë. Pjesa e parë përfundoi pa gola, por në pjesën e dytë arritëm të shënojmë dy herë dhe asnjëherë nuk lejuam të na rrezikojë kundërshtari”, ka thënë Ramadani për KOHËN.

Drita është në seri prej gjashtë ndeshjeve pa humbje, përfshirë edhe dy ndeshjet për Kupë. Ka vetëm një barazim 3:3, ndaj Prishtinës më 15 shkurt. Të tjerat i ka fitore.

“Sot arritëm objektivin dhe jemi në seri pozitive të rezultateve. Do të punojmë shumë që ta mbajmë këtë formë të mirë. Kemi qetësinë e duhur sepse na mundëson edhe diferenca e pikëve me vendin e dytë. Por asnjëherë nuk do të ketë komoditet deri në fund të sezonit”, është shprehur Ramadani.

Për trajnerin 47-vjeçar nga Shkupi, Drita është skuadra e pestë që e drejton në Kosovë. Ka fituar shtatë trofe me tri klube të ndryshme – Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën. Është në rrugë të mbarë për ta fituar titullin e kampionit edhe me Dritën.

Me Dritën kampion ka dalë trajneri aktual i Gjilanit, Ardian Nuhiu.

Trajneri tjetër shkupjan po e udhëheq me shumë sukses skuadrën e Gjilanit. Ndonëse nuk e nisi mirë, Gjilani është në seri të mirë së fundmi.

Në pesë ndeshjet e fundit, Gjilani ka tri fitore, një humbje e një barazim. Humbjen e pësoi nga Vëllaznimi i Gjakovës për Kupë. Gjilani synon ta sigurojë daljen në Evropë nëpërmjet vendit të tretë.

Si Drita, ashtu edhe Gjilani kanë bërë ndryshime në ekipet e tyre para se të nisnin edicionin 2024/2025.

Prej lojtarëve që iu bashkuan Gjilanit është Armend Thaqi. Kapiteni Thaqi vlerëson punën që po bëhet te skuadra.

“Jemi në ecuri shumë të mirë që është fryt i gjithë asaj pune që po bëhet në klub. E dimë që është vetëm fillimi i stinorit pranveror dhe ka shumë ndeshje. Assesi nuk jemi të kënaqur sepse jemi shumë prapa me pikë. E kemi filluar mirë, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë me ritmin e njëjtë të rezultateve. Shpresojmë të arrijmë te loja jonë të cilën e kërkon trajneri dhe të bëjmë ndeshje edhe më të mira dhe të arrijmë sa më lart në tabelë”, ka thënë Thaqi.

Drita është në garë edhe për Kupë të Kosovës. E mëson kundërshtarin e gjysmëfinales të martën.