Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do t’i ketë tri mungesa të rëndësishme për ndeshjet vendimtare me Ukrainën.
Kosova e Ukraina përballen dy herë gjatë javës së ardhshme në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2026.
Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, të hënën shpalli listën me emrat e hendbollistëve të ftuar. Lista është e zgjeruar, ndërsa lista finale do të caktohet para ndeshjes së parë, që është më 13 mars në Prishtinë. Ndeshja e dytë zhvillohet më 16 mars në Klaipeda të Lituanisë.
Për shkak që po përballet me pushtimin rus, Ukraina ndeshjet si nikoqire i luan në vende të tjera. Ndeshjen me Kosovën ka vendosur ta organizojë në Lituani.
Ndeshjet i takojnë Grupit 6 të fazës së dytë kualifikuese. Në vjeshtë, Kosova humbi me 11 gola dallim nga Ishujt Faroe e më pas barazoi me Holandën, favoriten e grupit. Me fitore ndaj Ukrainës, gjasat e Kosovës për kualifikim në Evropian do të ishin të mëdha.
Ukraina u mposht nga Holanda, kurse fitoi ndaj Ishujve Faroe.
Selektori Qerimi nuk mund të llogarisë në pivotin dhe lojtarin me përvojë të madhe, Kastriot Jupa. Ai është i lënduar dhe do të mungojë gjatë. Për shkak të lëndimeve mungojnë edhe Shaban Zogaj e Arbios Mushkolaj.
Në përfaqësuese janë kthyer Arti Luzha dhe Dominik Palushi, ndërsa për herë të parë është ftuar Mali Luzha. Arti e Mali Luzha janë vëllezër, ndërsa luajnë për Rahovecin.
“Na presin dy ndeshje vendimtare me Ukrainën. Synojmë sukses, që do të na afronte shumë me Evropian. Kualifikimi në një ngjarje të madhe me përfaqësueset seniore është prej synimeve tona më të mëdha”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Muhamet Arifi.
Përfaqësuesja grumbullohet të dielën, ndërsa barrën do ta mbajnë lojtarët që për shumë vjet janë pjesë e përfaqësueses.
Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet me Ukrainën
Dominik Palushi, Valon Dedaj, Arti Luzha, Kushtrim Ninaj, Mali Luzha, Drilon Tahirukaj, Lulzim Shabani, Haris Berisha, Bujar Ramosaj, Jon Muqolli, Leonard Gegaj, Rron Ramadani, Egzon Gjuka, Lionel Mirdita, Matej Thaqi, Liridon Zena, Drenit Tahirukaj