Borussia Dortmund ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Champions League, duke mposhtur Lille me rezultatin 2-1 në ndeshjen kthyese të zhvilluar në Francë. Pas një barazimi 1-1 në takimin e parë, gjermanët treguan forcën e tyre në sfidën e kthimit dhe siguruan avancimin me rezultat të përgjithshëm 3-2.

Sfida nisi vrullshëm për vendasit, me Jonathan David që kaloi Lille në avantazh në minutën e 5-të, duke rritur shpresat e francezëve për një kualifikim historik. Megjithatë, në pjesën e dytë, Borussia Dortmund përmbysi gjithçka. Emre Can barazoi shifrat nga penalltia në minutën e 54-të, ndërsa Beier vulosi fitoren për verdhezinjtë në minutën e 65-të.

Me këtë fitore, Dortmund siguron një vend mes tetë ekipeve më të mira në Evropë, ndërsa Lille përfundon rrugëtimin e saj në Champions League. Gjermanët tani presin shortin për të mësuar kundërshtarin e tyre në çerekfinale.