Te kundërshtarja e Kosovës në gjysmëfinale të plejofit, Sllovakia, ka pasur një zhvillim jo të zakontë.
Lojtari i kësaj përfaqësueseje, Denis Vavro, rrezikon të suspendohet për dy vjet nga Federata e Futbollit e Sllovakisë.
Vavro luan si mbrojtës i qendrës te Wolfsburgu në Bundesligë. Në periudhën festive ishte në vendlindje dhe u paraqit në një turne të futbollit të vogël në sallë. Gjatë turneut e humbi kontrollin në një moment dhe goditi me shuplakë një 17-vjeçar.
Një zëdhënës i Federatës së Futbollit të Sllovakisë ka thënë se komiteti disiplinor i federatës tashmë po merret me rastin. Në skenarin më të keq, 29-vjeçari mund të suspendohet për dy vjet nga përfaqësuesja sllovake.
Sllovakia e Kosova përballen më 26 mars në Bratislavë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror në SHBA, Meksikë e Kanada.
Videot e incidentin shfaqin momentin kur futbollisti reagon ndaj disa fyerjeve që i bëhen nga shikuesit në palestër, derisa kishte mospajtime mes lojtarëve në fushën e lojës. Në një moment, gjatë një tollovie, e godet me shuplakë një tifoz që ishte në fushën e lojës.
“Ne kemi folur me Denisin. Ai e di që ka bërë gabim të madh”, ka thënë drejtori sportiv i Wolfsburgut, Pirmin Schwegler për “Kicker”.
“Ai i ka kërkuar falje djaloshit dhe nënës së tij të njëjtën ditë. Për pasojat do të kemi një diskutim të brendshëm”.
























