Përzgjedhësi i Turqisë në futboll, Vincenzo Montella, pritet të bëjë ndryshime në mesfushë për duelin ndaj Kosovës.

Mediumet turke kanë shkruar të shtunën se Orkun Kokçu, bashkëlojtari i Milot Rashicës te Beshiktashi, mund të jetë titullar ndaj Kosovës. Arda Guler pritet të luajë në krahun e djathtë.

Kokçu ishte në bankën rezervë në duelin ndaj Rumanisë, por ndaj Kosovës pritet të luajë nga fillimi. Ai ishte inkuadruar në minutën e 78-të.

Është thënë po ashtu se me Kokçun në mesfushë, do të luajnë edhe Ismail Yuksek dhe Hakan Calhanoglu.

Edhe për Zeki Çelikun thuhet se e ka kaluar lëndimin dhe pritet të luajë nga fillimi. Mbrojtësi i Romës nuk luajti ndaj Rumanisë.

Ndërkohë, Merih Demiral është ende në dyshim për të luajtur.

Turqia e eliminoi Rumaninë në gjysmëfinale të plejofit me golin e Ferdi Kadioglut në pjesën e dytë. Kadioglu shënoi pas asistimit të përkryer të Arda Gulerit.

Turqia do të vijë në Kosovë për ndeshjen e madhe, që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” më 31 mars. Fituesi do të marrë pjesë në Botëror.