Kosovës po i afrohet një nga netët më të mëdha në historinë e saj sportive.
Këtë të martë, më 31.03.2026, nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova përballet me Turqinë në finalen e playoff-it për Kupën e Botës 2026.
Pas një rruge plot sakrifica dhe një fitoreje dramatike në gjysmëfinale kundër Sllovakisë, skuadra kosovare është vetëm 90 minuta larg realizimit të një ëndrre që dikur dukej e paarritshme.
Kjo përballje nuk është thjesht një duel sportiv. Ajo mbart mbi vete peshën e historisë dhe kujtesës kolektive.
Nga historia, drejt historisë
Nga kujtesa e historisë e ndarë me popullin turk, sot, ajo ka marrë një kthesë krejt tjetër. Nga përballjet e së kaluarës, shqiptarët dhe turqit takohen në një fushë të blertë, jo si kundërshtarë historikë, por si dy kombe që kanë ndërtuar ura bashkëpunimi dhe respekti.
Kjo lidhje u forcua sidomos gjatë luftës së fundit në Kosovë, kur Turqia ishte ndër vendet që mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe më pas procesin e rindërtimit të vendit.
Sot, Turqia është një nga aleatët më të ngushtë të Kosovës.
Në këtë kontekst, ndeshja e së martës merr një dimension edhe më të veçantë.
Kosova hyn në këtë sfidë me një brez lojtarësh të rinjë që përfaqësojnë energjinë sakrificën, dhe besimin e një populli të tërë, ndërsa Turqia sjell përvojën dhe traditën e saj në skenën ndërkombëtare të futbollit.
Për Kosovën, kjo është më shumë se një ndeshje. Është një mundësi për të vulosur një kapitull të ri për të kaluar nga një histori e vështirë drejt një të ardhmeje plot krenari dhe sukses.
Nëse arrin të fitojë, ajo do të sigurojë një biletë për në Kupën e Botës, ku do shtohen gjasat për t’u bërë pjesë e grupit D në të cilin na presin SHBA-të, Paraguaji dhe Australia.
Në fund, pavarësisht rezultatit, kjo skuadër tashmë ka arritur diçka të jashtëzakonshme, ka bashkuar një komb të tërë rreth një ëndrre.
Dhurata po shkojnë drejt djemve tanë edhe nga kryeministri i vendit i cili për arritjen në playoff ndau 250 mijë euro, ndërsa pas fitores 3-4 ndaj Sllovakisë ndau edhe 750 mijë euro tjera.
Ai kishte thënë se “rast të kualifikimit në Kupën e Botës, futbollistët e kombëtares pritet të shpërblehen me 1 milion euro nga Qeveria.” Tutje ai shtoi se shpërblime që “nuk ua merr mendja” do ketë për djemtë tanë.
Të mos harrojmë vullnetin e madh të kombëtares turke për t’u kualifikuar në Kampionat Botëror pasi nuk e kanë arritur një gjë të tillë që nga viti 2002.
Mbetet të shihet sonte se a do t’ia pamundësojë kualifikimin tutje Kosova jonë e pranuar në 2014-ën në FIFA dhe UEFA.



























