Sunderlandi e humbi 4:3 ndeshjen kundër Aston Villas të dielën. Golin e fitores, Aston Villa e shënoi në minutën e 93-të.

Por si arriti Sunderlandi ta kthejë rezultatin nga 3:1 në 3:3.

Noah Sadiki ka zbuluar fjalimin frymëzues të Granit Xhakës gjatë ndeshjes.

“Te rezultatin 3:1, Graniti bëri një bisedë në mes të fushës”, zbuloi Sadiki, shkruan “thenorthernecho”.

“Ai më tha, nëse shënojmë një herë, ka shpresë për të fituar ndeshjen. Shënuam një herë, pastaj barazuam. Është 3:3 dhe pastaj ke një shans të fundit. Kur nuk shënon të ndëshkojnë përsëri”.

Sadiki ka shtuar se Sunderlandi ishte afër një fitoreje të madhe kundër Aston Villas, që është në gjysmëfinale të Ligës së Evropës dhe në pozitën që siguron paraqitjen në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

“Ishim shumë afër një disfate të madhe, por ishim gjithashtu shumë afër fitores. Kjo është ndjesia e përzier që kemi pas ndeshjes. Mund të kishte qenë edhe 5:1, por në fund ishim shumë afër. Mendoj se treguam mentalitet, treguam se mund t’i bëjmë ballë edhe klubeve që janë më lart se ne”, është shprehur Sadiku.

Të martën doli me shkrim edhe anëtari i bordit të drejtorëve të Sunderlandit, Leo Pearlman.

Ai zbuloi një mesazh të fuqishëm të Xhakës për tifozët e Sunderlandit më herët këtë sezon.

Drejtori joekzekutiv i Sunderlandit ka treguar se si kapiteni i Sunderlandit iu përgjigj kritikave nga tribunat gjatë një ndeshje në shtëpi kundër Liverpoolit.

“Diçka ndodhi në fillim të shkurtit që më ka mbetur në mendje, por që më duket e rëndësishme vetëm tani ta ndajë me ju”, tha Pearlman. “Ne po luanim kundër Liverpoolit, në ‘Stadium of Light’. Në atë kohë ne ishim e vetmja skuadër e Premier Leagues pa humbur në shtëpi. Një tifoz pranë meje u ngrit dhe filloi reagimin ndaj lojtarëve ndërsa ata largoheshin pas pjesës së parë, duke vënë në dyshim angazhimin e ekipit atë ditë. Disa rreshta më poshtë, një zë ndërhyri tri herë, fort e qartë duke thënë ‘mbani mend nga kemi ardhur. Qëndroni të përulur’. Nuk ishte çfarëdo zëri, ishte Granit Xhaka, kapiteni ynë, që po shikonte nga tribunat dhe në atë koment tha gjithçka që duhej thënë”, shkruan Pearlman.