Futbollistët e Kosovës, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, janë në prag të nënshkrimit të kontratave të reja me Hoffenheimin.

Kështu ka raportuar mediumi i madh gjerman, “Kicker” të mërkurën.
Dy lojtarët e Kosovës iu bashkuan Hoffenheimit gjatë verës së vitit të kaluar dhe kanë kontratë deri në vitin 2029. 

Por drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, dëshiron t’u ofrojë Avdullahut dhe Hajdarit kontrata afatgjate me paga më të larta.

“Kjo është e pazakontë, pasi të dy iu bashkuan Hoffernheimit para fillimit të këtij edicioni. Nga njëra anë, kjo mund të shihet si një shpërblim pas paraqitjeve të mira të tyre deri më tani. Përveç vazhdimit të kontratave deri në vitin 2030, pritet edhe një rritje e ndjeshme e pagave për të dy lojtarët. Nga ana tjetër, me vazhdimin e kontratave, Hoffenheimi po tregon se është i interesuar të mbajë boshtin e ekipit edhe për edicionin e ardhshëm”, shkruan “Kicker”.

Vlera e Avdullahut dhe Hajdarit është rritur goxha shumë pas paraqitjeve të mira me Hoffenheimin dhe Kosovën.

Avdullahu, me lojën e fortë teknike dhe taktike, ka qenë pikë e fortë e mesfushës së ekipit të drejtuar nga Christian Ilzer. 

“Nuk është çudi që klubet më të mëdha dhe më me ndikim të fillojnë të tregojnë interesim për strategun Avdullahu, i cili u transferua nga Baseli për tetë milionë euro, ndërsa aktualisht vlerësohet 25 milionë euro. Vazhdimi i kontratës do të përjashtonte në mënyrë efektive lëvizjen e radhës në karrierën e 22-vjeçarit, të paktën këtë verë. Kjo vlen edhe për Hajdarin. Mbrojtësi i mirë me këmbën e majtë ka luajtur rol kyç dhe ka stabilizuar ndjeshëm mbrojtjen e Hoffenheimit. 22-vjeçari i transferuar nga Lugano për pesë milionë euro, vlerësohet rreth 20 milionë euro”, shkruan tutje në shkrimin e “Kicker”.

Avdullahu ka një asistim në 29 ndeshjet e këtij edicioni në Bundesligë, kurse Hajdari një gol e një asistim në 26 ndeshje.

Pjesë e Hoffenheimit është edhe sulmuesi Fisnik Asllani. Por Asllani pritet të largohet gjatë verës. Interesimi për sulmuesin kosovar është i madh. Bayerni e Barcelona janë prej klubeve të interesuara, sipas raportimeve të mediumeve të mëdha evropiane.

Hoffenheimi ka pasur kampanjë të suksesshme në Bundesligë dhe thuajse ka siguruar daljen në Evropë.