Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes do të vazhdojë t’i prijë Kombëtares së Kosovës deri në vitin 2022.

Marrëveshja e re është arritur sot në takimin që udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Kosovës e kanë zhvilluar me trajnerin zviceran.

Në këtë takim palët u dakorduan që ta vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët edhe për dy vjet.

“Kësisoj, kontrata e re është për periudhën 2020-2022. Deri te marrëveshja e re erdhi si rezultat i punës së mirë dhe sukseseve të arritura të Dardanëve në periudhën 2018-2020, derisa me punën e trajnerit zviceran kanë qenë të kënaqur të gjithë. Në anën tjetër, edhe Challandes është i kënaqur me punën, kushtet dhe gjithçka që ofron FFK-ja”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Tani, përqendrimi është tek dy ndeshjet e radhës kundër Moldavisë dhe Greqisë, me shpresë dhe besim për suksese të reja”, thuhet më tej në njoftim./VAR Kosova/