Porto do të lirojë mbrojtësin, Chancel Mbemba për shkak të dyshimeve për moshën e tij.

Lojtarit nga Republika Demokratike e Kongos i skadon kontrata në fund të sezonit dhe sipas Corriere de Manha, klubi portugez nuk dëshiron të rinovojë marrëveshjen e tij.

Thuhet se arsyeja është se klubi nuk është i sigurt se sa vjeç është në të vërtetë Mbemba. Me letra, qendërmbrojtësi është 27 vjeç, por ai në fakt mund të jetë deri në pesë vjet më i madh.

Në vitin 2013, CNN zbuloi se Mbemba kishte jo më pak se katër ditëlindje të ndryshme të regjistruara – me data që varionin nga 1988 deri në 1994.

Për dy klubet e tij të para në Kongo, Mbemba ishte i lindur në vitin 1988.

Megjithatë viti i lindjes kishte ndryshuar në 30 nëntor 1991 kur ai luajti në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Kombeve të Afrikës në 2011.

Të dhënat e Anderlecht e tregojnë atë si i lindur më 8 gusht 1994, që do të thotë se ai ishte gati të mbushte 21 vjeç kur nënshkroi me Newcastle për afër 9 milionë euro në vitin 2015.

Për ta bërë situatën edhe më konfuze, Mbemba ka thënë se ka lindur në vitin 1990.

Por ai gjithashtu pretendon se i është nënshtruar analizave të kockave për të vërtetuar se ai ka lindur në të vërtetë në vitin 1994, përpara se të transferohej në Angli.

“Kam bërë analizat e kockave dhe, siç e di unë dhe miqtë e mi, rezultatet vërtetojnë moshën time. Unë thjesht dal dhe luaj futboll, pa dezinformata”.

“Gjithçka që duhet të ketë rëndësi për njerëzit është ajo që bëj në fushë”, kishte thënë lojtari.

FIFA nisi një hetim për këtë çështje nëntë vjet më parë dhe një anëtar i Federatës së Futbollit Kongolez pranoi se viti i lindjes së Mbemba u ndryshua në 1991, kështu që ai ishte një lojtar nën 23 vjeç dhe për këtë arsye kualifikohej për Lojërat Olimpike 2012 në Londër.

Mbemba luajti 59 herë për Newcastle dhe përfundoi duke u larguar në Porto, ku ka luajtur mbi 100 ndeshje.

AC Milan raportohet se ka qenë i interesuar për nënshkrimin e Mbembas, por polemikat për moshën i kanë larguar kuqezinjtë.