Zhvillimi i futbollistit të lindur në Brazil, Matheus Nunes, është thuajse i jashtëzakonshëm. Para tre vjetësh, Nunes ka punuar si shitës në furrën e bukës që ishte në pronësi të familjes së tij, ndërsa javën e shkuar u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e Wolverhamptonit. Ekipi anglez i pagoi Sportingut të Lisbonës 50 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit 23-vjeçar, i cili është reprezentues i Portugalisë.

Para tri vjetësh ai ka shitur produkte brumi në furrën “Pao da Vila” në Ericeria, në afërsi të Lisbonës. Rrugëtimi i talentit nga Rio de Janeiro, i cili në moshën 13-vjeçare u vendos në Portugali së bashku me të ëmën dhe njerkun e tij, mbetet rrëfim në vete. Nunes është rritur në njërën prej lagjeve më të varfra dhe më problematike të Rios, që njihet ndryshe si “Campo Grande Favela”. Si fëmijë, ai e ka pasur idhull ish-mesfushorin e Brazilit, Ronaldinho, që atëbotë ishte pjesë e skuadrës së Barcelonës. Nunes babanë biologjik nuk e kishte pjesë të jetës së tij, kështu që është rritur nga e ëma Catia dhe ka pasur një fëmijëri tejet të vështirë.

“Kam punuar rreth gjashtë muaj në furrë. E filloja punën në mëngjes ndërsa pasdite stërvitja dhe kisha ndeshje futbolli. Kishte raste kur nuk mund të qëndroja në këmbë, por nuk dorëzohesha. Po ashtu, nuk kisha patentën e shoferit, zgjohesha në pesë për të shkuar me biçikletë në punë”, thotë ai.