Kampioni i Kosovës në futboll Ballkani, do ta zhvillojë ndeshjen e dytë të fazës grupore të UEFA Conference League.

Përballë do ta ketë gjigandin kroat Dinamo Zagreb.

Loja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 18:45.

Mbetet të shihet nëse kampioni kosovar do të arrijë të shkruajë historinë duke e mposhtur ekipin e madh nga Kroacia.

Trajneri i kampionëve të Kosovës, Ilir Daja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi kundërshtarin, megjithatë theksoi se ekipi i tij do të respektojë mbi të gjitha veten kur të zbresë në fushë.

“Për ecurinë e Dinamos dhe nivelin që ka, nuk duhet folur shumë, pasi është një klub me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe është përfaqësuesja më e mirë e kampionatit të Kroacisë, një vend që ka qenë edhe nënkampion bote. E kemi ndjekur ecurinë e tyre, pasi kemi pasur më shumë kohë dhe mund t’u them se janë favoritët kryesorë, bashkë me Viktoria Plzen, për të kaluar grupin, por duke pasur edhe suportin e tifozëve tanë, besoj që nuk do të kemi nevojë për motivim dhe do të menaxhojmë emocionet, për të bërë një ndeshje të mirë. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë që të bëjmë diçka të bukur.,” tha fillimisht Daja.

“Besoj që është nga kundërshtarët më të vështirë që kemi pasur. Unë jam përballur me ata edhe kur isha te Skënderbeu dhe mund të them se hyn në tre kundërshtarët më të vështirë me të cilët kemi luajtur,” vazhdoi trajneri i Balkanit.

“Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi futja në grupe dhe kalimi i tyre, do një analizë më të gjerë. Duhet të bëjmë hap gradual dhe jo të menjëhershëm. Sezonin e kaluar kemi qenë ekipi me koeficientin më të vogël në historinë e Ligën e Konferencës, por duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Ne punojmë për të bërë më të mirën e mundshme, për të përfaqësuar denjësisht futbollin e Kosovës,” përfundoi Daja

Ndeshjen e parë të këtij edicion të kësaj gare evropiane, ekipi nga Suhareka e zhvilloi ndaj Viktoria Plzen.

Në “Doosan Arena”, skuadra e Ilir Dajas humbi me rezultat minimal ndaj ekipit çek