Nuk ka dhënë fitues gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve në mes të Atletico Madridit dhe Arsenalit.
Të mërkurën mbrëma në “Metropolitano” në Madrid, rezultati ishte 1:1. Ishte në fakt gjysmëfinale e penalltive. Të dy golat u shënuan nga pika e bardhë, ndërsa në fund të ndeshjes u dha tjetër penallti për Arsenalin që më pas u anulua pas rishikimit të VAR-it nga arbitri.
Arsenali e Atletico përballen të martën në “Emirates” në Londër, ku edhe do të caktohet finalisti.
Skuadra angleze kaloi në epërsi 1:0 në moment shumë të mirë, në fund të pjesës së parë. Viktor Gyokeres konkretizoi penalltinë në minutën e 44-t. Penalltia u shkaktua pikërisht për ndërhyrje në suedezin Gyokeres nga mbrojtësi sllovak i Atleticos, David Hancko.
Arbitri nga Holanda, Danny Makkelie, dha penallti tjetër dhjetë minuta pasi filloi pjesa e dytë. Penalltia u dha për lojë me dorë në zonë nga ana e mbrojtësit të Arsenalit, Ben Ëhite. Dhe Julian Alvarez ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë në minutën e 56-të.
Atletico më pas e kishte iniciativën në fushë. Antoine Griezmann goditi shtyllën, ndërsa rast të mirë kishte edhe Ademola Lookman, goditjen e të cilit e ndali David Raya.
Në minutën e 81-të, arbitri edhe njëherë bëri me dorë nga pika e bardhë. Hancko pati kontakt me këmbën e Eberechi Ezes. VAR-i nuk e konfirmoi penalltinë, ndërsa Makkelie e anuloi vendimin për penallti pas rishikimit të situatës.
Në minutat e fundit të dy skuadrat tentuan të shënojnë golin e fitores, por pa sukses.
Në përgjithësi, gjysmëfinalja e së mërkurës ishte bindshëm më pak emocionale se ajo e së martës mbrëma mes PSG-së dhe Bayernit, që u fitua 5:4 nga fituesi në fuqi i Championsit.
Por njëra prej këtyre dy skuadrave, Atletico Madridi apo Arsenali më 30 maj do të paraqitet në finalen e 30 majit në “Pushkash Arena” në Budapest.






























