Humbja e radhës në Ligën e Kampionëve ndaj Borussia Dortmund pritet të lë pasoja të mëdha te Milani. Kuqezinjtë rrezikojnë një katastrofë në nivel sportiv, por edhe në nivelin ekonomik nëse do të eliminoheshin nga faza e grupeve të Kupave të Europës. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, dalja nga kompeticioni kryesor i Europës që në këtë moment do ta çonte në një humbje prej të paktën 113 milionë Eurosh.

Nëse Milani largohet nga Liga e Kampionëve, ata humbasin një bonus të rëndësishëm parash dhe rrezikojnë Botërorin e Klubeve. Disfata përballë verdhezinjtë e bën të vështirë tashmë rrugëtimin e kuqezinjve në Champions League. Për të shpresuar raundin tjetër, italianët duhet të fitojnë me çdo kusht kundër Newcastle dhe të shpresojnë tek një humbje e PSG kundër Dortmund.

Kualifikimi në Europa League do të shmangte humbjet e mëdha për arkat e klubit të Milanit. Ecuria negative në fushën e lojës ka vënë në dyshim edhe të ardhmen e trajnerit, Stefano Pioli. Objektivi minimal i sezonit është pozicionimi në mesin e katër ekipeve më të mira të kampionatit, çka përkthehet edhe me një vend në Champions League e vitit të ardhshëm.