22 vjeçari me prejardhje nga Kosova, Diant Ramaj, iu bashkua Ajaxit gjatë verës që shkoi nga Eintracht Frankfurti për të nënshkruar kontratë afatgjate, më saktësisht deri në vitin 2028.
Deri tash, portieri kosovar, i cili u largua nga Gjermania për shkak të mungesës së hapësirës pasi i zhvilloi vetëm dy ndeshje në Bundesligë, i ka zhvilluar shtatë ndeshje me ekipin holandez.
Ai ndihet krenar me prejardhjen e tij ndonëse u rrit në perëndim.
“Prindërit e mi u lindën në Kosovë dhe u larguan në drejtim të Gjermanisë për shkak të luftës. Ata lanë prapa gjithçka dhe përfunduan pa asgjë në një shtet të ri. Historia dhe karakteri i tyre më kanë formuar në atë që jam sot”, u shpreh portieri kosovar për mediumin e njohur holandez “De Telegraaf”.
“Gjithmonë e kujtoj se prej nga vij. Si fëmijë nuk kemi pasur shumë kushte. Kemi luajtur futboll me Dijonin, vëllain tim, dhe ishim krejtësisht të lumtur me futbollin e rrugës, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes e me shoqëri”, vazhdoi Ramaj.
Edhe në mentalitetin e tij, insiston se ka ndikuar prejardhja e tij.
“Mendoj se ka të bëjë edhe me të qenit kosovar, sepse njerëzit në Ballkan janë mendërisht shumë të fortë. Jam 22-vjeçar por më vlerësojnë si lojtar me shumë përvojë”, shtoi tutje portieri kosovar.
Ndonëse ka luajtur me Gjermaninë U-18, U-19 e U-20, Ramaj e ka në opsion Kosovën në rast se nuk merr ftesë për një kohë nga Kombëtarja A e Gjermanisë.






























