Në vigjilje të ndeshjes së javës së shkuar ndaj Sassuolos, trajneri Jose Mourinho sulmoi arbitrin Mercenaro duke theksuar se ai ishte i paaftë emocionalisht për të drejtuar një ndeshje të atij niveli.

Deklarata këto të cilat nuk kanë kaluar pa u vënë re, me portugezin i cili u vendos nën hetim nga Federata Italiane.

Së fundmi, Mourinho, Roma dhe Federata po mundohen ta zgjidhin këtë situatë dhe ditën e premte, luzitani është paraqitur në zyrën e Prokurorit federal, Giuseppe Chine. Mourinho, së bashku me avokatët e Romës mbajtën një takim që zgjati më shumë se një orë me Chine duke sqaruar deklaratën në lidhje me arbitrin.

Klubi vendos theksin edhe te fakti se italishtja e Mourinhos është keqinterpretuar duke paraqitur edhe një dosje të cilat vërtetojnë se trajneri nuk e zotëron gjuhën italiane.

Mediat në Itali, janë të sigurta se Mourinho do të bashkëpunojë për të pranuar fajësinë dhe faktin se nuk do të duhej të bënte ato deklarata para ndeshjes, e në këtë formë do të shmangë një pezullim të gjatë në kohë. Kështu, pritet që Mou të pezullohet për 10 ditë e të humbasë vetëm një ndeshje të Serie A.