Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar sot se ka fituar gjyqin për shpifje ndaj gazetës “Tema”, në lidhje me një seri artikujsh të publikuar gjatë viteve 2021–2022.

Me vendimin e datës 16 qershor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë pranoi padinë e ngritur nga FSHF dhe urdhëroi fshirjen e menjëhershme të disa artikujve me përmbajtje të pavërtetë dhe denigruese nga portali online i gazetës. Artikujt në fjalë kishin për objekt institucioni i FSHF-së dhe drejtuesit e tij.

Ky vendim konsiderohet si një precedent i rëndësishëm në mbrojtje të së vërtetës dhe reputacionit të institucioneve publike, duke përcjellë një mesazh të qartë për mediat që zgjedhin keqinformimin dhe shpifjen në vend të raportimit të drejtë dhe të verifikuar.

Në reagimin e saj, FSHF thekson se mbetet gjithmonë e hapur për bashkëpunim me median e lirë dhe raportimin profesional, por paralajmëron se do të ndërmarrë çdo veprim ligjor ndaj përpjekjeve për shpifje, manipulim apo dëm reputacional ndaj institucionit.