Xhudoja kosovare ka arritur tjetër sukses të rëndësishëm të hënën. 

Xhudistja Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Budapest të Hungarisë. 24-vjeçarja është e treta në botë në kategorinë deri 63 kilogramë.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti brazilianen Nauana Silva. Ndaj 22-vjeçares fitoi me Ippon të bukur. Realizoi hedhje mjeshtërore pas vetëm 70 sekondave luftë.

Botërori nuk erdhi në momentin më të mirë për medalisten e bronztë olimpike, Fazliun. Por medalja tjetër e vlefshme megjithatë u fitua.

Ajo kishte pësuar lëndim më 7 mars në Grand Prix të Austrisë dhe nuk kishte garuar që nga atëherë. Për këtë arsye nuk ishte plotësisht e qartë forma e saj, ndonëse fazën përgatitore e kishte të mirë. 
Laura ishte bartëse e katërt. Në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti polaken e papërshtatshme Natalia Kropska. Ndaj saj nisi luftën ngadalë, duke gjetur ritmin gradualisht. Në minutën e fundit të luftës mbërtheu dorën e polakes dhe fitoi me Ippon.

E fortë ishte edhe lufta ndaj italianes Carlotta Avanzato. Por Laura kishte iniciativën, ndërsa pak para fundit realizoi hedhje të bukur për fitore me Ippon.

Në çerekfinale xhudistja kosovare e kishte përballë legjendën braziliane, Rafaela Silva. Silva është ish-kampione olimpike dhe fituese e dy medaljeve të arta botërore, ndër të tjera. Derisa po testonin forcën e njëra-tjetrës, braziliania me përvojë e zuri të papërgatitur Laurën dhe e hodhi bukur për fitore me Ippon. Lufta zgjati vetëm 49 sekonda. Në fund Rafaela Silva mbeti pa medalje, duke u renditur e pesta.
Në repesazh, Fazliu fillimisht ësthë dashur të përballet me mongolen Enkhriilen Lkhagvatogoo. Por mongolja nuk doli fare në tatami për shkak të një lëndimi të dorës që e pësoi në luftën paraprake. Kështu fitorja pa luftë i takoi kosovares.

Medalje të bronztë Laura fitoi edhe në Botërorin e vitit të kaluar. Më pas fitoi edhe të bronztën olimpike. Ka edhe një medalje të argjendtë e një të bronztë në Kampionate Evropiane. Në turnetë Masters ka një të artë e një të argjendtë, ndërsa ka fituar pesë medalje në garat e nivelit Grand Slam e Grand Prix.

Në kategorinë deri 63 kilogramë ishin plot 44 xhudiste, si në asnjë kategori tjetër.