Qendërmbrojtësi holandez kishte shënuar golin e barazimit 1-1 në humbjen ndaj Manchester City-t, por ai u anulua për pozicion jashtë loje të Andy Robertson, i cili ndërhyri në vijën e shikimit të Gianluigi Donnarumma-s gjatë aksionit.
Howard Webb, presidenti i kolegjit të gjyqtarëve të Premier League (PGMOL), ka mbështetur vendimin e arbitrit Chris Kavanagh për të anuluar golin e Virgil Van Dijk në ndeshjen e fundjavës kundër Manchester City-t.
Ky vendim e zemëroi Liverpoolin, i cili paraqiti një ankesë zyrtare në PGMOL, duke pretenduar se goli duhej të ishte konsideruar i vlefshëm.
Në programin televiziv javor që analizon vendimet arbitrale, Webb shpjegoi se, edhe pse Donnarumma nuk e humbi plotësisht pamjen e topit, anulimi i golit “nuk është një vendim irracional”.
“Kur topi arrin te Robertson, disa metra para vijës së portës, ai reagon qartë duke u përkulur. Topi kalon mbi kokën e tij dhe përfundon në rrjetë. Në atë moment, gjyqtarët duhet të vendosin: A ndikon ajo lëvizje (përkulja) në Donnarummën dhe në mundësinë e tij për ta ndalur topin? Këtu hyn subjektiviteti në lojë,” shpjegoi Webb.
“Ata shqyrtuan pozicionin, veprimin dhe afërsinë me portierin, dhe morën vendimin e tyre. E di që nuk ndahen të gjithë në këtë mendim, por mendoj se nuk është e paarsyeshme që goli u anulua,” shtoi Webb, i cili kujtohet si gjyqtari i finales së Kupës së Botës 2010 mes Spanjës dhe Holandës.



























