Bashkimi ka fituar përballë GO+ Pejës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. 

Sfidën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku ndodhi edhe incidenti ndaj Dardan Berishës i cili u shënua pas hedhjeve të gjësendeve në parket nga shikuesit shtatë minuta para pushimit, Bashkimi e fitoi me rezultatin 96:90. 

Berisha i skuadrës pejane pati të çarë në ballë, dhe skuadra u tërhoq nga parketi, për t’u kthyer pas afro 40 minutave. 

Loja vazhdoi, ndërsa u zbraz një pjesë e tribunës qendrore. 
Në pjesën e parë, Bashkimi krijoi epërsi prej tetë pikëve, 48:40. 
Çereku i tretë ishte i barabartë, 24:24, ndërsa dhjetëminutëshin e fundit, GO+ Peja e fitoi me rezultatin 26:24. 
Ndeshja kthyese do të luhet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë. 
Shannon Shorter ishte më i dalluari te prizrenasit në fitore me 27 pikë, katër kërcime e po aq asistime, kurse Isiah Cousins dha kontribut të madh me dyshifror të dyfishtë, prej 17 pikëve e 10 asistimeve. Cousins i shtoi edhe pesë kërcime. 
TJ Bickerstaff i shtoi 16 pikë në fitore, ndërsa Ike Nëamu e Dequon Lake i shënuan 11-të, respektivisht 10 pikë. 
Kapiteni Dardan Berisha te GO+ Peja i pati 20 pikë, katër kërcime e dy asistime, por statistikat më të mira i kishte Tajh Green. Green regjistroi “double-double” me 10 pikë e 12 kërcime. Ai e shtoi edhe një asistim.