Plot shtatë gola u shënuan të premten mbrëma në stadiumin “St. Jakob-Park” në Basel.
Por, fituese në fund ishte Gjermania që e mposhti Zvicrën 4:3.
Ndeshjen miqësore më mirë e nisën helvetikët.
Granit Xhaka dha pasim të mirë për Dan Ndoyen në minutën e 17-të, që shënoi për 1:0.
Në minutën e 26-të shifrat i barazoi Jonathan Tah, kurse Breel Embolo ktheu epërsinë e një goli për Zvicrën në minutën e 41-të.
Në minutën e dytë të shtesës në pjesën e parë, Florian Wirtz asistoi për Serge Gnabryn që shënoi për 2:2.
Wirtz në minutën e 61-të shënoi supergol për 3:2 në të mirë të gjermanëve.
Joel Monteiro barazoi në 3:3 në minutën e 79-të, ndërsa futbollisti i Liverpoolit, Wirtz, katër minuta para fundit, realizoi sërish për rezultatin përfundimtar.
Xhaka u zëvendësua pas pjesës së parë nga Ardon Jashari.




























