Andy Robertson do të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit, kur edhe do t’i skadojë kontrata në verë, ka njoftuar klubi i madh anglez të enjten mbrëma.

32-vjeçari Robertson iu bashkua “të kuqve” nga Hull City në vitin 2017 dhe i ka fituar dy tituj të Premier Leagues dhe Ligën e Kampionëve gjatë kohës te Liverpooli.

“Mendoj se tani është koha që të vazhdojë tutje”, ka deklaruar Robertsoni në një video ku është njoftuar për largimin e tij.

“Këto nëntë vjet do t’i kujtoj me buzëqeshje të madhe në fytyrë”, ka theksuar ndër të tjera Robertson.
Në fund të këtij sezoni është lajmëruar edhe largimi i sulmuesit të Egjiptit, Mohamed Salah.

Liverpooli në këtë edicion është përballur me shumë telashe. Të mërkurën mbrëma u mposht 2:0 në Paris nga PSG-ja, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, në Premier League, kampioni në fuqi i Anglisë zë vendin e pestë me 49 pikë, një më shumë se Chelsea i vendit të gjashtë.