Cristiano Ronaldo shkoi direkt në tunelin e stadiumit dhe në zhveshtore para se të përfundonte ndeshja e Manchester United kundër Tottenham Hotspur mbrëmjen e së mërkurës.
United prodhoi padyshim paraqitjen e tyre më të mirë nën drejtimin e Erik ten Hag, duke mposhtur Spurs të vendit të tretë me rezultat 2-0, falë golave të pjesës së dytë nga Fred dhe Bruno Fernandes.
Por, ndërsa gjithçka ishte pozitive nga perspektiva e Unitedit dhe ata lëvizën brenda një pike nga vendi i katërt, fitorja ndoshta u la në hije nga veprimet e Ronaldos.
Superylli portugez ishte një zëvendësues i papërdorur në Old Trafford dhe nuk i pëlqeu të qëndronte për 90 minuta të plota në bankinë.
Me minutën e 89-të duke u luajtur, pesë herë fituesi i Topit të Artë u pa teksa po kthehej në zhveshtore i revoltuar me vendimin për të mos e luajtur asnjë minutë.
“Ai ishte aty, e kam parë por nuk kam folur. Do të merrem me këtë nesër (sot)””, ka thënë fillimisht Ten Hag për Amazon Prime.
“Ne po festojmë këtë fitore dhe tani duhet të rikuperojmë dhe një tjetër lojë të madhe të shtunën ndaj Chelseat. Liga Premier është shumë emocionuese”, përfundoi holandezi.































