Kosova e Hungaria pritet të zhvillojnë ndeshje miqësore gjatë muajit mars. Me shumë mundësi ndeshja do të zhvillohet më 26 mars, ndërsa është e qartë se ajo nuk do të luhet në Prishtinë. Stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbyllur, ndërsa Kosova nuk ka stadium tjetër të denjë për ndeshje ndërkombëtare.

Hungaria është kundërshtare shumë e fortë për “Dardanët”, që vazhdojnë të jenë pa selektor.

Hungaria është kualifikuar në “Euro 2024”, ndërsa do të jetë në grup me Gjermaninë, Skocinë dhe Zvicrën.

Hungarezët fillimisht do të luajnë me Turqinë e më pas me Kosovën. Në qershor Hungaria do të luajë ndaj Irlandës dhe ndaj Maltës.

“Ndeshja e dytë miqësore do të jetë ndaj Kosovës, që nuk është kualifikuar në Evropian dhe është vetëm e 101-ta në ranglistën botërore. Por, kundërshtarja jonë në Evropian, Zvicra, nuk e ka mposhtur Kosovën në asnjërën prej dy ndeshjeve në kualifikime”, ka shkruar Federata hungareze të hënën mbrëma.