Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e nis në shtëpi rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Për kundërshtare të parë do ta ketë Rumaninë.
Ndeshja Kosova – Rumania luhet më 6 shtator. Tri ditë më vonë luan ndaj Qipros në udhëtim.
Më 12 tetor do ta zhvilloj një tjetër ndeshje në udhëtim. Për kundërshtare do ta ketë Gjibraltarin ose Lituaninë.
Më 15 tetor e pret Qipron, ndërsa dy ndeshjet e fundit të Grupit 2 Të Ligës C, do t’i ketë në nëntor, raporton KOHA.
Më 15 nëntor luan në udhëtim ndaj Rumanisë, derisa tri ditë më vonë e pret, Gjibraltarin ose Lituaninë.
Këto dy përfaqësuese do të përballen kundër njëra-tjetrës në plejaut. Fituesi pastaj do t’i bashkohet grupit.
Për Kosovën kundërshtarët nuk janë të panjohur. Rumaninë e kishte në grupin kualifikues për “Euro 2024”, kurse Qipron në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.






























