Lëvizje të konsiderueshme janë bërë në afatin e rregullt kalimtar në basketbollin kosovar, që ka përfunduar tashmë. Por skuadrat e Superligës vazhdojnë të bëjnë ndërrime të lojtarëve të huaj.
Dhe kjo bën që një pjesë e mirë e skuadrave të kenë pamje shumë më ndryshe në vazhdim të kampionatit.
Edicioni pranveror i Superligës së Kosovës në basketboll fillon në mesjavë. Të mërkurën janë ndeshjet Bashkimi – Trepça e Bora – Golden Eagle Ylli. Të enjten janë takimet Vëllaznimi – Peja e Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina.
Këto ndeshje i takojnë xhiros së 15-të. Në vjeshtë janë kompletuar 14 xhiro. Pra secila skuadër ka luajtur nga dy ndeshje me çdo skuadër tjetër të Superligës.
Lidere është Trepça me 25 pikë, përkatësisht me bilanc prej 11 fitoresh e tri humbje. Kampionia në fuqi, Trepça, tashmë ka bërë shkëputje me pjesën tjetër të skuadrave. Mitrovicasit kanë bërë vetëm një ndryshim në përbërje. Janë ndarë me qendrën nga Senegali, Mouhamed Barro, ndërsa në vend të tij sollën amerikanin Michael Myers. Pak javë më parë Trepça u nda me Desmond Cambridgen dhe në vend të tij solli basketbollistin Tekele Cotton.
Ndryshime të konsiderueshme do të ketë te Bashkimi. Ndër të tjera, në mënyrën e lojës. Klubi prizrenas është ndarë me trajnerin nga Maqedonia e Veriut, Darko Raduloviq. Ndonëse nuk e ka zyrtarizuar ende trajnerin e ri, Bashkimi ka firmosur me dy lojtarë të tjerë. Ka kthyer qendrën e fuqishme, Erick Copes, ndërsa firmosi me fundorin Wendell Green Jr.
Bashkimi është i dyti në tabelë me bilanc prej nëntë fitoresh e pesë humbje.
Peja është e treta me tetë fitore e gjashtë humbje. Skuadra pejane u nda papritur me fundorin Musab Mala dhe për këtë mori kritika të shumta nga tifozët. Peja liroi edhe amerikanin Tervell Beck, ndërsa solli brazilianin Tulio Da Silva.
Vëllaznimi i Gjakovës nuk ka njoftuar për ndryshime mes dy edicioneve. Më 23 dhjetor njoftoi për kthimin e Myreon Jonesit, ndërsa lëvizje të tjera nuk ka bërë. Skuadra gjakovare është në vendin e katërt me bilanc shtatë fitore e shtatë humbje, sa ka edhe Golden Eagle Ylli në vendin e pestë.
Vëllaznimi në tri xhirot e fundit mposhti Borën, Yllin dhe Sigal Prishtinën. Dhe me gjasë trajneri Jeronimo Sharin është i kënaqur me përbërjen që ka.
Ylli i Suharekës ka kthyer Jan Palokajn, që ishte pjesë e skuadrës edicionin e kaluar. Palokaj ishte lojtar i rëndësishëm dhe njëjtë pritet të jetë edhe këtë herë.
Sigal Prishtina e nis vitin prej vendit të gjashtë, ndërsa bilanci i saj është gjashtë fitore e tetë humbje.
Prishtina ka humbur katër ndeshjet e fundit dhe, ashtu si pritej, po bën ndryshime në përbërje. Fillimisht skuadra e kaltër u nda me Henrik Shirkon, Rashad Williamsin dhe Eliot Pecin.
Më herët nga Prishtina u larguan të tjerë lojtarë të huaj të rëndësishëm, ndërsa pjesë e skuadrës tashmë janë Tyrrel Tate, Donte Clark dhe qendra me përvojë, Rashid Mahalbashiq.
Bora po ashtu ka bërë përforcime të shumta e cilësore. Mori Musab Malën, Henrik Shirkon dhe Desmond Cambridgen. Të tre këta ishin pjesë e Superligës dhe pritet të jenë ndihmesë e madhe për skuadrën prishtinase.
Pjesë e Borës më nuk është Ardit Pepaj, që është larguar për në Gjermani. Bora shënoi disa fitore të rëndësishme në xhirot e fundit dhe tani mban vendin e parafundit me bilanc prej katër fitoresh e dhjetë humbje.
Numër të njëjtë fitoresh e humbjesh i ka edhe Proton Cable Prizreni. Kjo skuadër u nda me Burim Zekiqin, ndërkohë që angazhoi Beckun nga Peja dhe dy vendorët, Rron Dahsylën e Drilon Shalën. Dahsyla ishte te Peja e Shala te Ylli.
Ndryshime të tjera priten edhe në javët në vazhdim. Por tashmë nuk është sekret që skuadra që luan më së gjati me një përbërje ka avantazhe në garën për trofe.