Për herë të tretë skitarja Lara Gut-Behrami është shpallur sportistja më e mirë e vitit në Zvicër. Gruaja e Valon Behramit është shpallur më e mira për herë të dytë rresht. Ceremonia e shpalljes së më të mirëve u mbajt të dielën mbrëma në Zurich, por Gut-Behrami qëndroi në shtëpinë e saj, në Udine të Italisë për shkak të garave të shumta që i ka së shpejti.

Ajo foli përmes një videolidhjeje, ndërsa të pranishmëve iu drejtua në gjuhën italiane. Ka thënë se ata që dëshiron të falënderojë, flasin italisht.

“Dua të falënderoj familjen, pasi ajo gjithnjë ishte aty për mua.  Kur gjërat shkojnë mirë është gjithnjë e lehtë. Por për të fituar, ju duhet të kaloni shumë ditë që nuk janë shumë të mira. Ka momente të ndërlikuara në karrierë. Pa familje kjo nuk është e mundur”, ka thënë skitarja zvicerane.

Gut-Behrami më pas ka falënderuar nënën, Gabriellan, babain, Paulin, vëllain, Ianin dhe burrin, Valon Behrami. Valon Behrami është ish-futbollist i njohur i Zvicrës. Behrami tashmë e ka përfunduar karrierën.

33-vjeçarja ka falënderuar sidomos prindërit.

“Isha shumë me fat si fëmijë që prindërit kishin kohë të na mësonin mua dhe vëllait tim skijimin. Ata po ashtu na dhanë ambicien për t’u bërë më të mirë dhe që të shtyjmë veten tonë përtej limiteve”, ka vazhduar Gut-Behrami, që është prej skitareve më të mira në botë.

Edhe para se të bëhej e ditur se Gut-Behrami do të shpallet sportistja më e mirë, skitarja ka folur për jetën e saj. Në fund të stinorit të kaluar në skijimin alpin, ajo pranoi tre globa të kristaltë. Por nuk ishte e lumtur.

“Jam ndier keq dhe e vija në dyshim kuptimin e jetës”, ka treguar Gut-Behrami. “Isha e inatosur, e mërzitur dhe e zbrazët. Mezi prisja të largohesha nga ai vend”.

Ndjenjat negative ishin prezentë edhe gjatë përgatitjeve për stinorin e ri. Kur nisën garat, në Solden në tetor, Gut-Behrami vendosi në momentin e fundit të mos garojë. Ishte e përlotur derisa njoftoi tërheqjen, derisa po vuante edhe nga një lëndim i gjurit.

“Jam në fund të karrierës dhe më duhet të jem e sigurt se po veproj drejt kur startoj”, tha skitarja. Ajo ishte në gjendje të kalonte krizën falë burrit të saj, Valon Behramit.

“Burri im më ndihmoi të përballem me këtë”, tha skitarja nga Ticino gjatë ceremonisë.

Ish-futbollisti ishte në gjendje të bënte skitaren të kuptonte se në karrierë ka edhe ditë të vështira.

“Kjo hoqi një barrë të madhe nga shpatullat e mia”.

“Dëshira për sport” siç e përshkruan Gut-Behrami, është kthyer. Është e njëjtë si para garës së parë të saj në Kupën e Botës, në vitin 2007. Vetëm tre muaj më pas ajo bëri befasi duke fituar medaljen e parë në Kupën e Botës. Atëbotë ishte vetëm 16-vjeçare, ndërsa tani është prej skitareve më të mira në histori. Gut-Behrami është fituese e medaljes së artë olimpike, kampione e dyfishtë e botës dhe dy herë fituese e përgjithshme e Kupës së Botës. Me 45 fitore në garat e Kupës së Botës, Gut-Behrami është skitarja e dytë më e mirë në histori të Zvicrës.

Në stinorin e kaluar ajo i fitoi tetë gara në Kupën e Botës, më shumë se në çdo stinor të mëparshëm. Gut-Behrami është tani më e mirë se asnjëherë më parë. Ajo e di se çka është e mirë për të dhe çka i duhet që të jetë e suksesshme. Kështu ajo ia del të qëndrojë në majë. Dhe natyrisht të fitojë trofe të rëndësishëm në sport.