Bashkimi e ka mposhtur Vëllaznimin në kuadër të xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi fitoi me rezultatin 84:73. Vendasit kanë dominuar nga fillimi, ndërsa kanë mbajtur epërsi solide deri në fund.
Për Bashkimin është fitorja e dytë rresht. Në mesjavë kishte fituar ndaj Trepçës, po në “Sezai Surroi”. Bashkimi mbetet në vendin e dytë, tani me 27 pikë, një më pak se Trepça.
Vëllaznimi ishte në seri prej katër fitoreve në kampionat, ndërsa tani i ka 24 pikë.
Jayveous Mckinnis udhëhoqi Bashkimin. Ai realizoi 24 pikë e plot 20 kërcime. E kishte po ashtu një bllokadë e një top të rrëmbyer. Fundori Wendell Green kontribuoi me 20 pikë, tetë asistime e katër kërcime. Valon Bunjaku i kishte 11 pikë, ndërsa nga tetë i shënuanAltin Morina e Mack Smith.
Jericole Hellems ishte më i dalluar te skuadra gjakovare, me 23 pikë, dhejtë kërcime e tri asistie. Arian Azemi i kishte 15 pikë, pesë asistime e kkatër kërcime. Trey Anderson i realizoi 11 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Arbër Sinani shënoi 11 pikë.
Vëllaznimit i mungoi njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm, qendra Jason Jitoboh, derisa Bashkimit i mungoi Lejson Zeqiri.
Ndeshja u ndërpre pas çerekut të parë për më shumë se dhjetë minuta. Pati një konflikt të tifozëve vendas me pak tifozë gjakovarë, ndërsa ndërhyri edhe policia. Pasi tifozët gjakovarë u larguan nga palestra, Vëllaznimi lëshoi fushën e lojës në shenjë revolte. Ndeshja megjithatë vazhdoi.