Me derbin Peja – Bashkimi vazhdon gara në Superligën e Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje i takon xhiros së 21-të të elitës kosovare të basketbollit.

Xhiroja e 20-të ishte zhvilluar në fillim të muajit shkurt, ndërsa më 12 shkurt ishte finalja e Kupës mes Trepçës e Bashkimit. Më 14 shkurt ishte zhvilluar ndeshja e vetme e xhiros së 21-të, mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit. Më pas ishin dy ndeshjet e Kosovës dhe këtë fundjavë janë tri ndeshjet e tjera të xhiros së 21-të.

Vëmendja do të jetë në “Karagaçi” ku përballen dy skuadrat me traditë. Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga orën 19:00.

Peja e Bashkimi kanë bërë ndryshime në përbërje para vazhdimit të garës në Superligë. Peja këtë javë e prezantoi amerikanin Darryl Morsell, ndërsa më herët këtë muaj njoftoi për angazhimin e amerikanit tjetër, Marques Townes.

Peja është e pesta në Superligë me 30 pikë nga 20 ndeshje. Bashkimi është i dyti me 34 pikë, sa i ka edhe Trepça në vendin e parë. Prizrenasit do të mundohen të reagojnë pas disfatës nga Trepça në finale të Kupës.

Edhe Peja ndeshjen e fundit e luajti me Trepçën. Pësoi 67:66 në “Minatori” më 2 shkurt, në kuadër të xhiros së 20-të të Superligës. Pejanët kishin paraqitje të denjë në atë ndeshje, ndërsa nuk patën fat në gjuajtjen e fundit që do t’ua siguronte fitoren.

Bashkimi të hënën prezantoi amerikanin me përvojë, Dirk Willimas. Ai erdhi në vend të Au’Diese Toney që luajti vetëm në finale të Kupës, por pa dhënë ndonjë kontribut.

Të mërkurën prej orës 19:00 është edhe ndeshja Golden Eagle Ylli – Proton Cable Prizreni. Ekipi suharekas është favorit.

Ylli është vetëm i gjashti me 28 pikë. Prizreni i ka 25 pikë në vendin e fundit, përkatësisht të tetë.

Xhiroja e 21-të mbyllet të enjten me ndeshjen mes Borës e Trepçës. Edhe kjo ndeshje fillon në ora 19:00.

Mitrovicasit pas suksesit në Kupë synojnë të vazhdojnë me fitore në Superligë. Për Borën, fitorja eventuale do të ishte me shumë peshë.

Bora është e parafundit me 26 pikë dhe po lufton për mbetje në Superligë dhe potencialisht për t’u inkuadruar në plejof nga pozita e gjashtë.