Raportohet për të paktën tre të plagosur jashtë gjykatës në qytetin e Bielefeldit në Gjermani të mërkurën, ku u mbajt seanca gjyqësore për vrasjen e boksierit kosovar Besar Nimani në vitin 2024. 

Huseyin Akkurt po gjykohet për vrasjen e Nimanit. 

Të shtënat nisën rreth orës 13:30 me kohë lokale, pas përfundimit të seancës të së mërkurën. Raportohet se tre plumba u shkrepën  150 metra larg gjykatës. 

Gazeta gjermane “Bild” raporton se të paktën dy pjesëtarë të familjes së të akuzuarit u qëlluan – vëllai dhe babai – njëri prej tyre u plagos në këmbë e tjetri në gjoks dhe është në gjendje të rëndë. Ndërkohë gazeta “Neue Westfalische” raporton për të paktën tre të plagosur.

Raportohet se një nga të dyshuarit për sulmin e të mërkurës është arrestuar, ndërsa një tjetër është barrikaduar.  Për rastin ka informuar edhe “Radio Bielefeld”, që ka treguar se disa zona janë rrethuar për kapjen e të dyshuarit të dytë për plagosjen e të mërkurës. 

Seanca e të mërkurës nisi në ora 9:00. Hyseyin Akkurt po akuzohet për vrasjen e Nimanit më 9 mars të vitit të kaluar. 

Ai u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Bruksel. Dyshohet se së bashku me Aymand Dawoud Kirit (33), që është në arrati, e vranë Nimanin në Bielefeld. Ata kishin shkrepur 16 plumba në drejtim të boksierit kosovar që vdiq në vendin e ngjarjes.