Mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich do të mbetet në radhët e klubit më të suksesshëm gjerman pavarësisht indikacioneve të mëparshme se ai mund të largohet në fund të sezonit.
Më parë mediat gjermane shkruanin se negociatat për vazhdimin e kontratës së tij me klubin kishin ngecur dhe flitej për interesim edhe nga klube të tjera evropiane, si Paris Saint-Germain dhe Arsenal.
Megjithatë, pavarësisht interesimit të gjigantëve evropianë, Kimmich do të qëndrojë te Bayerni, pasi të dyja palët kanë arritur një marrëveshje të plotë për një kontratë të re deri në vitin 2029.
Konfirmimi zyrtar pritet në ditët në vijim dhe Kimmich është lojtari i dytë pas Alphonse Davies që zgjat besnikërinë e tij me Bavarezët.
Ndryshe, Kimmich mbërriti te Bayern Munich nga RB Leipzig në verën e vitit 2015 për rreth 7 milionë euro.
Para kësaj, rrugëtimi i tij futbollistik filloi në VfB Stuttgart, ku kaloi nëpër seleksionimet e të rinjve, por nuk pati një shans në ekipin e parë.
Stutgarti e shiti atë te RB Leipzig në vitin 2013, i cili atëherë luante në divizionin e tretë të Gjermanisë. Ai përparoi shpejt në Leipzig dhe u bë një lojtar kyç, gjë që tërhoqi vëmendjen e Bayernit.
Bayerni e solli atë me insistimin e Pep Guardiolës, i cili e njohu menjëherë talentin e tij dhe e shndërroi në një nga mesfushorët më të mirë në botë.