Bashkimi pati paraqitje shumë të mirë ndaj Dijonit francez në ndeshjen e tretë të stinorit të rregullt në garën e “FIBA Europe Cup”.

Por kjo nuk mjaftoi. Bashkimi të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” e dërgoi ndeshjen në vazhdime, ndërsa u mposht me rezultatin 83:74.

Për Bashkimin ishte humbja e tretë në po aq ndeshje të luajtura në Grupin J.

Dijoni ndërkohë e regjistroi fitoren e parë.

Bashkimi pjesën e parë e mbylli me gjashtë pikë epërsi, 36:30.

Francezët u kthyen fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fituan 25:9. Çereku i fundit i takoi Bashkimit 23:13. Rezultati pas kohës së rregullt ishte 68:68. Dijoni e shfrytëzoi përvojën në vazhdime për fitoren me nëntë pikë dallim.

TJ Bickerstaff i kishte 18 pikë, 11 kërcime e tri asistime te Bashkimi, ndërsa Lejson Zeqiri pati 14 pikë, gjashtë kërcime e një asistim. Pikë dyshifrore te Bashkimi pati edhe Isaiah Cousins, 13 në total. Ai i kishte edhe tri kërcime e katër asistime.

Në raundin e dytë avancojnë skuadrat që i fitojnë dhjetë grupet dhe po ashtu, gjashtë skuadrat më të mira të vendeve të dyta, nga dhjetë grupet sa janë në total.

Prizrenasit në elitën e basketbollit kosovar kanë tri fitore, ndërsa në ndeshjet e garës kontinentale i humbën të dyja duelet që i patën në udhëtim nga Cibona në Zagreb 93:79 dhe nga Reggiana në Itali, 100:65.

Ndeshja e radhës për Bashkimin në “FIBA Europe Cup” është ndaj Cibonës më 4 nëntor.