Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, tha se do ta shprehë zhgënjimin e tij në fund të sezonit për kritikat e pandërprera ndaj Ligës Profesionale Saudite, të cilat, sipas tij, ndikojnë negativisht.

Disa lojtarë të Al Ahli u ankuan pas humbjes se ekipi i Ronaldos, Al Nassr, po favorizohet nga gjyqtarët.

Me fitoren 2:0, Al Nassr është forcuar në vendin e parë të “Ligës Profesionale Saudite”.

Ronaldo foli pas ndeshjes duke insistuar se kritikat nuk i bëjnë mirë ligës.

“Mendoj se kjo nuk është mirë për ligën. Të gjithë ankohen. Ky është futboll, kjo nuk është luftë. Ne e dimë që duhet të luftojmë, të gjithë duan të fitojnë. Por jo gjithçka lejohet”, ka thënë Ronaldo.

Ronaldo tha shumë me pak fjalë. Por ai planifikon të hyjë në detaje edhe më të hollësishme në intervistën e paralajmëruar pas përfundimit të edicionit aktual.

“Do të flas në fund të edicionit, sepse kam parë shumë, shumë gjëra të këqija”, është shprehur ai.
Cristiano Ronaldo mund të fitojë titullin e tij të parë në ligë në Arabinë Saudite këtë edicion.

Shumë lojtarë janë ankuar, duke bërë postime negative në Instagram, në Facebook, për gjyqtarët, për ligën, për projektin.

“Duhet të japim një shembull, jo vetëm këtu, por edhe për Evropën, se duam të konkurrojmë me ta për të qenë një nga ligat më të mira në botë. Por kështu, mendoj se duhet ta analizojmë, por ta ndalojmë kritikën… sepse për mua, ky nuk është futboll”, thotë ai

Ronaldo, 41 vjeç, tha se do të jap shpjegime pse bojkotoi dy ndeshjet e “Ligës Profesionale Saudite” më herët këtë vit.

Protesta e tij erdhi pasi rivalët Al Hilal e forcuan skuadrën me ish-bashkëlojtarin e skuadrës së Real Madridit, Karim Benzema, nga Al Ittihad gjatë afatit kalimtar të dimrit.

“Ka qenë një sezon i vështirë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj”, tha Ronaldo. “E dimë fuqinë që kanë ekipet e tjera, por do të kem mundësinë të flas në fund të sezonit”, paralajmëron Ronaldo.

Pavarësisht frustrimeve të tij, Ronaldo është i etur ta ndihmojë Al Nassr të fitojë titullin e parë që nga viti 2019 dhe të parin që kur iu bashkua klubit në dhjetor 2022.

“Lufta për titull do të jetë deri në fund”, tha kapiteni i Portugalisë. “Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne e dinim se do të luanim kundër njërit prej ekipeve më të vështira në ligë”.

Ronaldo, 41 vjeç, ka tërhequr vëmendje me deklarimin e tij pas ndeshjes. Gjatë intervistës së tij pas ndeshjes, atij iu tregua një video e një tifozi të ri duke festuar.

“Për mua është një nder, prandaj vazhdoj të luaj, jo vetëm për këtë brez të tanishëm, por edhe për atë të mëparshëm dhe ata që do të vijnë. Mundohem ta shijoj, ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje, vit pas viti, sepse fundi i kësaj karriere po afron, ky është një fakt”, thotë Ronaldo. “Karriera që kam pasur ka qenë e shkëlqyer dhe vazhdon të jetë e tillë. Gjëja më e rëndësishme për mua është të vazhdoj përpara. Të vazhdoj ta shijoj, të shënoj gola. Por gjëja më e rëndësishme është të fitojmë. Ne me të vërtetë duam ta fitojmë ligën”, ka theksuar ai.

As mbrojtësi i Al Ahli, dikur bashkëlojtar te Juventusi, Merih Demiral, i cili ia kishte kujtuar Ronaldos se Al Ahli kishte fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve të Azisë, nuk mundi t’ia hiqte buzëqeshjen yllit portugez, i cili u përgjigj se në karrierë ka fituar pesë Liga të Kampionëve.

“Pesë trofe të Ligës së Kampionëve i kam”, dëgjohet në kundërpërgjigjen e Ronaldos.

Deri në fund të edicionit aktual kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar. Al Nassr është tetë pikë përpara Al Hilal, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ronaldo tani ka 970 gola në karrierën e tij, pasi shënoi golin e parë të mërkurën në fitoren 2:0.