Federata e Futbollit e Kosovës e ka nisur konferencën e sotme për shtyp të paralajmëruar nga dita e djeshme.
Në këtë konferencë, Alain Giresse tashmë është zyrtarizuar si trajner i ri i Përfaqësueses së Kosovës.
Pas arritjes së marrëveshjes, trajneri i ri i Kosovës, Alain Giresse u shpreh i lumtur.
“Jam shumë i lumtur. Unë kam qenë edhe më herët në Kosovë, por atëherë kryetar ka qenë Fadil Vokrri dhe kur dëgjova për vdekjen e tij, isha i tronditur”, ka thënë Giresse.
“Kur isha trajner i Senegalit, kemi luajtur një ndeshje ndaj Kosovës, por atëherë nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA. Jam pajtuar me kushtet dhe pritshmëritë dhe natyrisht çdo vend pret rezultate”, tregoi ai.
Ai do të jetë pasues i zviceranit Bernard Challandes, i cili u shkarkua muaj më parë për shkak të rezultateve shumë të dobëta gjatë vitit 2021.
Trajneri Alain Giresse në karrierën e tij ka drejtuar ekipe të mëdha në nivel kombëtar si Gjeorgjia, Gaboni, Mali, Senegali dhe së fundi edhe Tunisia janë ekipet kombëtare në të cilat ai ka ndërtuar karrierë dhe ka fituar përvojë.
Giresse po ashtu kishte drejtuar edhe dy ndër klubet më të njohura franceze si PSG, Toulouse.
Dy sfidat e para për Giresen në krye të Kosovës do të jenë miqësoret e muajit mars ndaj Zvicrës dhe Burkina Fasos.






























