Albion Rrahmani u largua nga skuadra e Ballkanit me destinacion Rapidin e Bukureshtit në fillimin e muajit gusht, megjithatë kampionët e Kosovës nuk kanë humbur kohë dhe kanë gjetur zëvendësuesin e 22-vjeçarit.

Drejtuesit nga Suhareka kanë siguruar shërbimet e Arb Manaj, lojtar që së fundmi ishte pjesë e Slaven Belupo në Kroaci. 25-vjeçari është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës duke u aktivizuar në tre ndeshje me Dardanët ndërsa ka gjetur edhe njëherë rrugën e rrjetës.

Manaj ka eksperiencë sa i takon kampionatit në Kosovë duke qenë se është aktivizuar më herët edhe me Dukagjinin apo Trepçen ndërsa sa i takon aventurave jashtë vendit, karrierën e tij më së shumti e ka zhvilluar në Turqi duke u aktivizuar me ekipe si Keciorengucu, Balikesirspor apo edhe Bandirmaspor.

Manaj pritet të jetë një përforim me shumë vlera për Ballkanin gjatë sezonit teksa udhëheqja e sulmit dhe shënimi i golave do t’i besohet pikërisht lojtarit 25-vjeçar.