Drejtori sportiv i përfaqësueses së Izraelit, Yossi Benayoun nuk e di se si është aprovuar fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshje ndërkombëtare.

Kosova fitoi 1:0 ndaj Izraelit të dielën mbrëma, ndërsa fusha ishte në gjendje shumë të rënduar.

Përfaqësuesja e Izraelit menjëherë pas ndeshjes udhëtoi për në Hungari ku të mërkurën mbrëma e luan ndeshjen me Zvicrën.

“Të gjithë kemi dashur të dukemi më mirë në ndeshje. Ka shumë arsyetime përreth, fusha, e cila nuk e di se si e kanë aprovuar. Por gjithsesi kemi pritur të dukemi më mirë”, ka thënë Benayoun.

Ai ka thënë se e kanë ditur forcën e Kosovës dhe po ashtu gjendjen e fushës, të cilën e kanë parë në stërvitjen e së shtunës.