Pas shumë muajsh është stërmbushur një palestër me shikues për ndeshje të basketbollit kosovar. Në “Shani Nushi” në Gjakovë të mërkurën mbrëma ishin mbi 3000 shikues, që panë ndeshje interesante mes Vëllaznimit dhe Bashkimit.
Vëllaznimi e fitoi me rezultat 80:71 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas dy javësh në Prizren, ndërsa Vëllaznimi ka epërsi solide.
Ndeshja ishte e fortë dhe thuajse e barabartë nga fillimi e deri në fund. Në minutat e fundit gjakovarët u shkëputën në nëntë pikë.
21:17 përfundoi çereku i parë në të mirë të Vëllaznimit. Gjakovarët e fituan edhe çerekun e dytë, 20:15.
Bashkimi u kthye në çerekun e tretë, që përfundoi 27:18 për prizrenasit.
Arian Azemi udhëhoqi Vëllaznimin me 21 pikë e pesë kërcime. Trey Anderson i realizoi 15 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Jericole Hellems i kishte 20 pikë e shtatë kërcime.
Mack Smith u dallua te Bashkimi me 20 pikë e pesë kërcime. Wendell Green i kishte 17 pikë e shtatë asistime. Erik Copes i kishte 11 pikë e katër kërcime.