Barcelona është kampione e Spanjës në futboll. Titullin e dytë rresht dhe të 29-in gjithsej, Barcelona e siguroi në ndeshjen më të rëndësishme – në klasiken me Real Madridin.

Të dielën mbrëma në “Camp Nou”, në atmosferë të shkëlqyer, Barcelona fitoi 2:0 ndaj rivalit më të madh, Real Madridit.

Tri xhiro para fundit të edicionit në La Liga, Barça i ka 91 pikë, plot 14 më shumë se Real Madridi që është në vendin e dytë. 

Sfida u mbyll herët. Marcus Rashford që në minutën e nëntë shënoi supergol nga goditja e dënimit për 1:0. Në minutën e 18-të, Barça organizoi aksion të gjatë. Dhe pas një asistimi maestral të Dani Olmos, Ferran Torres shënoi për 2:0.

Barcelona e ka vazhduar dominimin deri në fund, por pa shtuar gola të tjerë. 

Barcelona e Real Madridi tani i kanë saktësisht nga 106 fitore në “El Clasico”. 52 ndeshje të tjera mes tyre kanë përfunduar baras.

Ndeshja e së dielës mbrëma nuk ishte e lehtë për trajnerin gjerman të Barcelonës, Hansi Flick. Disa orë pa nisur ndeshja, Flickut i vdiq babai. Ai megjithatë vendosi ta udhëheqë skuadrën nga stoli. Pa nisur ndeshja u mbajt një minutë heshtje, ndërsa Flick mori përkrahje nga shikuesit gjatë gjithë ndeshjes.

Për Flickun është trofeu i pestë me Barcelonën gjatë dy vjetëve në krye të skuadrës. Vjet e fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën. Këtë vit e ka fituar Superkupën e Spanjës, ndërsa tani edhe titullin e kampionit. Synim i Flickut mbetet që ta kthejë skuadrën në krye të futbollit evropian.
Klasikja e gjeti Real Madridin në moment shumë të vështirë. Të enjten erdhi te një rrahje e Aurelien Tchouamenit me Federico Valverden. Incidenti e la të lënduar në kokë Valverden, që mungoi në “Camp Nou”. Klubi i gjobiti të dy lojtarët me nga 500 mijë euro.

Real Madridit për shkak të lëndimit i mungoi edhe Kylian Mbappe. Ka shumë pakënaqësi edhe për Mbappen, ndërsa Real Madridi e përfundoi edicionin e dytë pa trofe të fituar. Priten ndryshime të shumta te madrilenët.

Derisa për tifozët e Madridit mbrëmja e së dielës ishte e vështirë, ata të Barcelonës kanë festuar një tjetër trofe rëndësishëm.