Ka bërë bujë skandali i tifozëve të Slavia Pragës, që e ndërprenë pak para fundit derbin e madh me Sparta Pragën. Kur pritej të niste festa për titullin e kampionit, tifozët e Slavias pushtuan fushën, të shtunën mbrëma. Por ndeshja ende nuk kishte përfunduar kur tifozët u futën në fushë duke mbajtur në duar mjete piroteknike. Janë sulmuar lojtarët e Slavia Pragës, për të cilën skuadër luan Albion Rrahmani.
Por kjo nuk ishte ndeshja e vetme e ndërprerë të shtunën. Për shkak të trazirave të shkaktuara nga tifozët, të shtunën u ndërpre edhe derbi i madh i Sllovenisë mes Mariborit dhe Olimpijas së Lubjanës. Ndeshja i takoi xhiros së 34-t të elitës sllovene, ndërsa u ndërpre në minutën e 52-të kur Olimpija ishte duke udhëhequr 1:0.
Pos fyerjeve, tifozët e Mariborit kanë hedhur mjete piroteknike në fushën e lojës dhe kjo solli ndërprerjen.
Ndeshja fillimisht ishte ndërprerë në minutën e 36-të për shkak të sulmeve të tifozëve me mjete piroteknike.
Pas 20 minutave ndeshja megjithatë kishte vazhduar, por në minutën e 52-të tifozët eskaluan sërish. Këtë herë në kokë u godit portieri i Olimpijas, Matevzh Vidovshek. Erdhi ndërprerja e dytë që doli të jetë edhe vendimtare.
“Një prej mjeteve të hedhura shpërtheu pranë veshit tim. Është e papranueshme që ne lojtarët të jemi shënjestër. Shëndeti ynë ishte në rrezik. Nëse do të goditesha në sy, kam mundur të verbohem. Nuk mendoj se është e drejtë”, ka thënë Vidovshek.
Trajneri i Olimpijas, Federico Bessone ka theksuar se është e trishtueshme që një derbi i madh të përfundojë në këtë mënyrë.
“Gjëra të tilla janë shumë të rrezikshme, sidomos për futbollistët”, ka thënë Bessone.
Te Maribori kanë shprehur keqardhje për atë që ndodhi.
Olimpija pritet ta fitojë ndeshjen me rezultat zyrtar, 3:0.
























