Pop ylli Dua Lipa nuk pritet të performojë në meçin e peshave të rënda mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury më vonë këtë vit.
Britanikët Joshua (36) dhe Fury (37) kanë rënë dakord për kushtet e një përballjeje të shumëpritur mes tyre, e planifikuar për fundin e vitit 2026.
Megjithatë, kryetari i Autoritetit të Argëtimit në Arabinë Saudite, Turki Al-Sheikh, kishte sugjeruar se ndeshja mund të rrezikohej nëse Dua Lipa nuk pranonte të performonte si pjesë e promovimit të eventit.
Nuk është e qartë nëse kjo deklaratë ishte serioze apo shaka, por sipas BBC Sport, këngëtarja 30-vjeçare është kontaktuar për të performuar, por e ka refuzuar ofertën dhe nuk pritet të jetë pjesë e eventit.
Dua Lipa është një nga artistet më të suksesshme në botë, me hite globale si “New Rules”, “Don’t Start Now” dhe “Levitating”.
Vendndodhja për përballjen Fury–Joshua ende nuk është finalizuar, por Wembley Stadium në tetor konsiderohet opsioni i preferuar nga organizatorët.
Performancat muzikore në evente të mëdha boksi janë bërë të zakonshme vitet e fundit. Reperi Eminem shoqëroi Terence Crawford në hyrjen e tij në ring kundër Errol Spence Jr.. Frontmeni i Oasis, Liam Gallagher, performoi para fitores së Daniel Dubois ndaj Joshua në Wembley në vitin 2024. Ndërsa vitin e kaluar, 50 Cent performoi gjatë hyrjes në ring të Chris Eubank Jr. në rimeçin e tij me Conor Benn.
Para çdo përballjeje me Furyn, ish-kampioni i unifikuar Joshua duhet të kalojë fillimisht ndeshjen e planifikuar kundër Kristian Prenga më 25 korrik në Arabinë Saudite.
Fury u rikthye nga pensionimi me një fitore ndaj Arslanbek Makhmudov muajin e kaluar, por po shqyrton një tjetër ndeshje ndërsa pret për Joshuan.
Promotori i Queensberry, Frank Warren, ka thënë se një humbje e Joshua-s në korrik mund ta prishë këtë superndeshje me “Gypsy King”.
Joshua dhe Fury janë lidhur prej kohësh me një përballje, por disa përpjekje gjatë 10 viteve të fundit për t’i sjellë në ring kanë dështuar.
Nëse ndeshja zhvillohet sipas planit, të dy pritet të fitojnë pagesat më të mëdha në karrierën e tyre.




























