Kristjan Asllani ka shkëlqyer te Beshiktashi që fitoi të premten mbrëma në ndeshjen e xhiros së 32-të të Superligës së Turqisë.

Asllani shënoi e asistoi në fitoren 2:0 në udhëtim te Gaziantepi.

Asllani asistoi fillimisht në golin për 1:0 në minutën e shtatë, ndërsa shënoi nga penalltia në minutën e 22-të.

Mesfushori 24-vjeçar i Shqipërisë, i cili e kompletoi ndeshjen, i ka dy gola e dy asistime në elitën e futbollit të Turqisë.

Milot Rashica pësoi lëndim para se të niste ballafaqimi. Shkaku i lëndimit të pësuar gjatë ngrohjes para ndeshjes, Rashica nuk ishte fare pjesë e formacionit. U zëvendësua nga Junior Olaitan. Futbollisti 29-vjeçar i Kosovës i ka dy gola e gjashtë asistime në 34 paraqitjet e këtij sezoni, në të gjitha garat.

Fitorja e forcon Beshiktashin në pozitën e katërt me 59 pikë. Kjo pozitë në fund dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.