Një debat që po vazhdon të zhvillohet ende është ai se “cili klub është më i madhi në futbollin kosovar”. Analisti nga emisioni “Favorit”, Ismet Munishi, vazhdon të këmbëngul se Prishtina është klubi më i madh, kurse pas saj renditen Trepça, Liria dhe Vëllaznimi.

Munishi vlerëson arritjet e Ballkanit, veçanërisht në garat evropiane, por që sipas tij, duhet ende punë për të arritur te Prishtina e të tjerat.

“Fillimisht kur jemi në pushim të garave, duhet prekur disa tema që janë interesante për publikun, për trashëgimtarët e tonë… duke i shtjelluar këto ndeshje ngritën debate në publik. Prishtina, Trepça, Vëllaznimi dhe Liria janë klubet më të mëdha. Dikur rivaliteti dhe organizimi i klubeve ishte si i Real Madridit e Barcelonës. Prishtina është Real Madridi, Trepça është Barcelona”, tha fillimisht trajneri kosovar, që gjithashtu theksoi se “para 40-50 vjetëve klubet kanë pasur organizim e infrastrukturë më të mirë se tani”.

“Ballkani është si Girona, po luan mirë, por i vyen kohë të arrijë te Real Madridi dhe Barcelona (Prishtina dhe Trepça). Mund të themi me sukseset që ka arritur në Evropë, por jo me tituj se Prishtina e Besa kanë më shumë, është storje suksesi. Mirëpo, kur flasim për traditën dhe historinë, Prishtina, Trepça, Liria e Vëllaznimi janë katërshja e madhe e futbollit. Prishtina doli tash nga problemet, por është për të ardhur keq që Lirinë e kemi me probleme, e Trepçën dhe Vëllaznimin në Ligën e Parë”, shpjegoi Munishi.

“Nuk kemi futboll të fortë dhe rivalitet. Nuk kemi shikues, ka vetëm ka 50 shikues në ndeshje. Prej faktorëve kryesorë që nuk ka shikues është rivaliteti”, deklaroi Munishi.