Kosova U18 (M) ka shënuar fitore ndaj Shqipërisë U18 (M) me rezultat 85:62 (17:15, 22:13, 25:13, 21:21), në kuadër të FIBA European Challenger, që po zhvillohet në Tiranë.

Ndeshja nisi e baraspeshuar, e më pas kuqezinjtë kishin epërsi 7:12, por Dardanët rikthehen shpejt dhe e përfundojnë çerekun e parë në të mirë të tyre 17:15.

Kosova vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, fillimisht u shkëput në 23:17, e më pas edhe 39:24, por me katër pikë radhazi nga basketbollistët shqiptarë ngushtohet diferenca në 39:28, sa përfundoi pjesa e parë.

Kosova vazhdoi me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë në 52:30 dhe pavarësisht tentimeve të vendasve, Kosova ngriti sërish epërsinë dhe rezultati pas 30 minutash në semafor ishte 64:41, njëherësh epërsia më e lartë në ndeshje.

Në 10 minutat e fundit nuk kishte dallime të mëdha dhe Kosova triumfoi 85:62, duke e nisur me fitore Evropianin në Tiranë.