Marseille dhe Villareal zhvilluan një ndeshje miqësore mes tyre mbrëmjen e kaluar. Ekipi francez fitoi 2-1 ndaj skuadrës fituese të Europa League, që më 11 gusht do të përballet me Chelsea në finalen e Superkupës së Evropës.

Tensioni nuk mungoi në këtë përballje, dhe protagonistë ishin trajnerët e dy skuadrave:  Unai Emery (Villareal) dhe Jorge Sampaoli (Marseille). Gjithçka nisi nga një faull i ashpër që kreu një lojtar i ekipit francez kundër kundërshtarit të tij.

Ndërhyrja acaroi Unai Emery që filloi të protestojë ashpër kundrejt arbitrit. Ky i fundit e ndëshkoi me të kuq, teksa trajneri spanjoll, plotësisht i nervozuar, iu hakërrye edhe kolegut të tij. Sampaoli nuk duroi dhe reagoi.

Për fat të mirë, stafet e dy skuadrave ndërhynë dhe evituan përplasjen mes palëve. Sigurisht që nuk ishte aspak e thjeshtë, pasi edhe argjentinasi i Marseille njihet për temperamentin e nxehtë si një latin që është.